Sulme të rënda ruse në Ukrainë, NATO përgjigjet me ngritjen e avionëve luftarakë

NATO aktivizoi avionët e saj luftarakë gjatë natës në hapësirën ajrore të Polonisë dhe Rumanisë, pasi Rusia kreu sulme masive me dronë dhe raketa në Ukrainën perëndimore, ku u vranë të paktën 25 persona, mes tyre tre fëmijë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, një dron rus hyri në hapësirën e saj ajrore gjatë sulmit. Në Ternopil të Ukrainës, goditjet shkatërruan ndërtesa banimi dhe plagosën dhjetëra njerëz.  Sulme janë raportuar edhe në Kharkiv, ku disa godina u dëmtuan dhe dhjetëra persona u plagosën.

Rumania ngriti fillimisht dy Eurofighter dhe më pas dy F-16, ndërsa edhe Polonia aktivizoi avionë të saj për të mbrojtur hapësirën ajrore. Dy aeroporte në lindje të Polonisë u mbyllën përkohësisht për t’i dhënë përparësi operacioneve ushtarake.

Sulmet ndodhën pak orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Turqi për bisedime me Presidentin Erdogan, në përpjekje për të ringjallur negociatat e paqes dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Ndërkohë, Rusia njoftoi se ka rrëzuar katër raketa amerikane ATACMS mbi qytetin Voronezh, rreth 200 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Goditjet e fundit lanë shumë rajone të Ukrainës pa energji elektrike, ndërsa tensionet mes Moskës dhe NATO-s janë rritur ndjeshëm. Polonia akuzoi së fundmi Rusinë për sabotimin e një linje hekurudhore, duke paralajmëruar masa të reja diplomatike.

SHBA ka miratuar gjithashtu një paketë të mundshme prej 105 milionë dollarësh për përmirësimin e sistemit ukrainas të mbrojtjes Patriot, ndërsa Zelensky nënshkroi marrëveshje për blerjen e deri në 100 avionëve francezë Rafale.