Hetimet e SPAK për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja 5 vite më përpara, kanë zbuluar një tjetër ngjarje kriminale.
Bëhet fjalë për një atentat ndaj juristit Mitri Prifti, ku pjesë e grupit kriminal është Genti Nderjaku alias Kili alias Ekil Nderjaku, i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit, i ndodhur më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.
Mësohet se Genti Nderjaku ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të eliminuar Mitri Priftin në periudhën 4 tetor 2020 deri në 30 janar 2021, siç njofton SPAK.
“Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal”, informon SPAK.
Mitri Prifti është një emër i njohur për policinë. Ai u identifikua si autori i dyshuar i atentatit ndaj Edison Begajt, ngjarje e ndodhur në 29 maj 2021 në Kaninë.
Sipas uniformave blu për motive të dobëta, Prifti ka tentuar të vrasë me armë zjarri 44-vjeçarin Edison Begaj në sy të fëmijëve, ndërsa mori katër plumba në këmbë. Autori ka qenë i veshur me rroba si të policisë dhe i maskuar në momentin që qëlloi me armë në drejtim të Begajt në hyrje të banesës së tij, ku për pasojë mbeti i plagosur.
Sa i takon Priftit, ai u arrestua në shtator të vitit 2021.
“Vlorë/Ekzekutohet vendimi i Gjykatës për 36-vjeçarin e shpallur në kërkim, për tentativën e vrasjes së shtetasit E. B, të ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë.Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin M. P, 36 vjeç, banues në Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur“- njoftonte policia për arrestimin e tij.