Belind Këlliçi ka qenë një nga zërat e fortë për aferën e inceneratorëve në Komisionin Hetimor, ndërkohë që pas lënies së mandatit të deputetit ka vijuar me akuzat ndaj aktorëve kryesorë të kësaj afere.
Në emisionin “Debat” me Alba Alishanin, ai ka publikuar dokumente të reja për inceneratorët. Sipas tij, këto dokumente nuk ka arritur t’i gjejë as SPAK, teksa tha se tani i takon Prokurorisë t’i verifikojë autenticitetin e tyre.
“Nuk kam bërë publik asnjë nga faqe te dokumentacionit që kam depozituar. Janë vënë në dispozicion dokumente origjinale autentike që nuk gjenden në institucionet shqiptare. Do t’i lë kohën e mjaftueshme se është një material voluminoz. Po përgatitet edhe një tjetër material voluminoz. Nuk merrnim përgjigje për informacionin që kërkonim, nuk merrnim përgjigje nga institucionet, por i kam gjetur me burime. Gjatë verës kam patur mundësinë të siguroj këto dokumente. I takon organit të akuzës të verifikojë autenticitetin dhe të zgjerojë hetimin dhe t’i shkojë deri në fund kësaj afere. Nuk ka qenë aspak e lehtë për të siguruar këto dokumente. Është shumë e komplikuar dhe e vështirë dhe kërkoj nga organi i akuzës të bëjë analizën e plotë të dokumenteve. Por që këto dokumente janë autentike e them me garanci të plotë”, tha ai.
Këlliçi u shpreh se në këto dokumente tregohen komunikimet që zbardhin të plotë skemën e inceneratorëve, e cila ka nisur në Elbasan dhe ka vijuar në Fier, në Zvicër, në Maltë e deri në Zimbabve.
“Dokumenta si ky janë me qindra dhe dokumentet që vijnë nga Zvicra se afera ka nisur në Elbasan ka vijuar në Fier, në Zvicër, në Maltë, në Zimbabve. Të gjithë dokumentacionet i kemi çuar në SPAK. Dokumentat e tjerë zbardhin të gjithë skemën e inceneratorëve. Zbardhin aktorët kryesorë, zbardhin faktin që personazhe të huaja që janë “presta nome” që kanë gënjyer nën betim kur janë marrë në pyetje dhe kjo faktohet përmes komunikimeve”, deklaroi Këlliçi.