Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar 11 pasuri të anëtarëve të grupit kriminal të Gëzim Çelës, ku ishte i përfshirë edhe ish-shefi i arrestuar i policisë së Kurbinit, Dritan Metaj.
SPAK ka nisur hetimet pas zbulimit të një sasie prej 41 kg heroine më 31 Mars 2023 në bagazhin e automjetit ku udhëtonte Armando Papa, i cili u vendos në pranga të policisë.
Në vijim të hetimeve u zbulua se pjesëtaret e këtij grupi kriminal, me datë 14 Gusht 2023, do trafikonin një sasi e konsiderueshme kanabis nga vendi i quajtur Patok-Kurbin me mjete lundruese, nëpërmjet detit dhe kjo lëndë narkotike do të shkëmbehej në det me kokainë, e cila do të transportohej me një mjet tjetër lundrues i cili drejtohej nga shtetas të huaj. Lënda narkotike më pas do të trafikohej nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, njofton Prokuroria e Posaçme.
Policia konstatoi në dalje nga ‘’Laguna e Patokut’’, Kurbin, një gomone duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të një mjeti lundrues “velierë’’ e identifikuar me pas si veliera “NIULA” me flamur të huaj e cila kishte hyrë pa njoftuar në ujërat territoriale Shqiptare, në afërsi të ‘’Kepit të Rodonit’’.
Mjetet lundruese janë mbajtur në mbikëqyrje dhe ndjekje të vazhdueshme nga ana e policisë gjyqësore dhe në momentin që janë parë nga të dyshuarit, shtetasit Ukrainas K. P. dhe K. B., që ndodheshin në mjetin lundrues ‘’veliere’’, i kanë vënë flakën mjetit lundrues në të cilin ndodhej lënda narkotike dhe kane zbritur në një mjet shpëtimi.
Ndërsa mjeti tjetër lundrues që drejtohej nga shtetas shqiptarë, i nisur nga ‘’Laguna e Patokut’’, Kurbin, është larguar me shpejtësi duke u ndjekur nga forcat e policisë. Ndërsa droga në gomone nuk ishte djegur plotësisht,
Sipas SPAK, ka dyshime se personat nën hetim Gëzim Çela, R. G., A. D. duke bashkëpunuar me A. I., A. M., N. Ç., B. B., K. P., K. B., Armando Papa, Dritan Metaj, me detyrë Shef i Komisariatit Kurbin dhe persona të tjerë të paidentifikuar akoma, në formën e një grupi të strukturuar kriminal kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘’Trafikimi i narkotikeve’’, ’’Pastrimi i produkteve te veprave penale’’, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’.
Ndërsa janë sekuestruar pasuri që dyshohet se rridhnin nga aktiviteti kriminal:
1. Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673;
2. Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf viti i prodhimit 2020 ngjyrë e bardhë me targë, në pronësi të N. Ç.;
3. Automjet i markës Audi, modeli Q8, viti i prodhimit 2018, ngjyrë e bardhë, në pronësi të N. Ç.;
4. Automjet i markës Audi, modeli A8, viti i prodhimit 2017, ngjyrë gri e errët, në pronësi të shtetasit A. I.;
5. Automjet i markës Wolkswagen, modeli Golf, viti i prodhimit 2015, gjyrë gri, në pronësi të shoqërisë “Ayla” shpk.;
6. Mjet lundrues tip Gomone, me ngjyrë gri, me gjatësi 9 m dhe gjerësi 2.7 m, me tre motorë me ngjyrë të zezë, të markës Yamaha 350 V8;
7. Kartëmonedha të prerjes 50 euro, 200 copë, sekuestruar shtetasit A. I.;
8. Shuma monetare 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) Euro, 500 (pesëqind) paund britanik, 50 (pesëdhjetë) franga zvicerane dhe 2 344 500 (dy milion e treqind e dyzetë e katër mijë e pesëqind) lekë, sekuestruar shtetasit N. Ç.;
9. Mjet ujor Zip, gomone me gjatësi rreth 7 metra, me 1 motorr ‘entrobord’, tip Ratox me numër M6237725, ngjyrë e zezë e vendosur në karrelin me numër ROMA86/52;
10. Mjet ujor tip gomone me ngjyrë gri me mbishkrimin AKUILA NERA SEM, me 1 motorr tip SUZUKI, me fuqi 150 hp me numër 02/0z/580020;
11. Mjet ujor tip gomone, ngjyrë e zezë me gjatësi rreth 10m me mbishkrimin “G-RS”, me 2 motor tip Suzuki me fuqi 300 hp secili me numra 3000ZP – 245968 dhe 3000ZP – 245/92.