Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimit të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit.
Kalaja i akuzon Ballukun dhe Cenon për “shpërdorim detyre”, kur Balluku ishte ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës dhe Klosi drejtor i Tatimeve.
Gjithashtu ajo ka kërkuar edhe nisjen e hetimit pasuror të Belinda Ballukut, teksa SPAK njofton se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.
Belinda Balluku është aktualisht e pandehur për dy tendera, atë të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. GJKKO ka vendosur pezullimin e saj nga detyra, si dhe ndalimin e daljes jashtë Shqipërisë.
Gjithashtu nën masë sigurie “arrest me burg” janë Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli.
“Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal me Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi etj.
Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025.
Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, thotë SPAK.