SPAK ka komunikuar akuzat ndaj ish-numrit dy të qeverisë Arben Ahmetaj, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit sa i takon aferës së inceneratorëve.
Si Ahmetaj, Zoto dhe Mërtiri ndodhen që të tre në arrati, ndërsa akuzat u janë komunikuar avokatëve të tyre.
Mërtiri akuzohet për veprën penale korrupsion e pastrim parash. Ndërsa Ahmetaj për korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.
Ndërkohë, akuzat korrupsion e pastrim parash, iu komunikuan edhe avokatit që përfaqësonte Klodian Zoton.
Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar që prej korrikut të vitit të kaluar në lidhje me dosjen e inceneratorëve ndërsa pozitat e tij janë rënduar pasi SPAK thotë se ai ka abuzuar me detyrën e tij edhe në privatizimin e fabrikës, “Buka sh.a”.
Për këtë çështje, ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë
Pritet që Prokuroria e Posaçme t’i komunikojë akuzë edhe Albina Maçkas, ish bashkëshortes së Arben Ahmetajt. Duhet thënë se emri i saj zë vënd të konsiderueshëm në dosjen hetimore të SPAK, sa i takon pasurisë, tjetërsimit të pronave apo faturave të majme të pajustifikuara për investime në apartamente dhe vilën në Palasë.