SPAK kërkon të mos nisin hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit, shtyhet seanca në Apel

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila urdhëroi nisjen e hetimeve penale ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Sipas SPAK, janë kryer veprime të shumta hetimore për këtë çështje, përfshirë analizën e rolit të shtetasit Artan Gaçi në një bashkëpunim të mundshëm dhe dijeninë e tij lidhur me dokumente të supozuara si të falsifikuara, nëpërmjet të cilave dyshohet se është përfituar tokë truall.

Megjithatë, Prokuroria thekson se deri më tani nuk ka prova që lidhen drejtpërdrejt me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo të konfiskuara për shkak të funksionit publik të ushtruar nga Xhaçka në atë periudhë.

Në ankimin drejtuar Apelit të Posaçëm, prokurori Ols Dado argumenton se kjo çështje ka qenë më parë objekt shqyrtimi nga Gjykata e Posaçme gjatë gjykimit të dosjes penale nr. 189/2023 dhe se ka pasur kontroll të plotë gjyqësor në të gjitha fazat e saj.

Lexo edhe: GJKKO urdhëron SPAK: Të hetohen Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi

SPAK thekson se vendimi për të detyruar regjistrimin e procedimit penal është i pambështetur në prova dhe i cenueshëm në aspektin ligjor. Ndaj, kërkon që vendimi të ndryshohet në tërësinë e tij.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë për të nisur hetimet ndaj çiftit Xhaçka–Gaçi erdhi pas kallëzimit të bërë nga eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri. Ai kërkoi hetimin e tyre për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, në vijim të çështjes ndaj Jorgo Goros, i cili ndodhet në burg që prej marsit 2023.

Seanca në Apelu mbajt sot, ku gjyqtarja Ilirjana Olldashi e shtyu vendimin nëse do të pranojë ankimimin e SPAK, apo do të lërë në fuqi vendimin për nisjen e hetimeve.