SPAK kërkon “strofullën e TIGRIT”, Shqipëria kërkesë kompanisë “Meta” për vendndodhjen e Arben Ahmetajt

Reagimet e shumta përmes rrjeteve sociale duket se i kanë prishur sadopak punë ish-ministrit Arben Ahmetaj, i arratisur vetëm 1 ditë përpara se Prokuroria e Posaçme të kërkonte arrestimin e tij për çështjen e inceneratorëve.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, vendndodhja e tij nuk dihet, ndërkohë që fillimisht avokati i tij tha se ish-ministri ishte në Angli, ndërkohë që më vonë kanë dalë informacione se Ahmetaj mund të fshihet në Zvicër.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme i ka nisur letërporosi zyrave qëndrore të kompanisë “Meta” të Mark Zuckerberg e që ka pronësinë e disa aplikacioneve në rrjetet sociale, për të gjurmuar vendin nga ku logohet ish-numri dy i qeverisë. Brenda një viti, Shqipëria ka mesatarisht 60 kërkesa të tilla ndaj kësaj kompanie ndërsa përgjigjet kanë qenë mesatarisht në 50%.

Nëse gjendet vendndodhja e tij, autoritetet shqiptare do të tentojnë bahskëpunimin me kolegët në vendin ku fshihet Ahmetaj, për ta ekstraduar ish-ministrin drejt Shqipërisë, ku do të gjykohet për inceneratorët dhe jo vetëm, pasi është akuzuar edhe për çështjen e privatizimit të ish-fabrikës së bukës.