14 zyrtarë dhe ish zyrtarë, përfshirë 3 deputetë, 1 ish deputet dhe 1 ish ministër janë aktualisht nën hetim nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ju është përgjigjur interesit të gazetarëve për disa çështje, mes tyre zyrtarëve që janë duke u hetuar apo edhe dosja e 21 Janarit.
Sa i takon kësaj të fundit, SPAK u shpreh se veprimet hetimore që kryhen gjatë fazës së hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor dhe për këtë arsye nuk mund të japin informacion.
“Për pyetjen e tretë-Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale veprimet hetimore që kryhen gjatë fazës së hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor.Duke iu referuar këtyre neneve nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre” thuhet në përgjigjen e SPAK ku ka publikuar në faqen e saj zyrtare përgjigjet e disa prej pyetjeve të drejtuara nga gazetarët.
Sa i takon deputetëve që janë pjesë e Kuvendit të ri që fillon në shtator, SPAK tha pak ditë më parë për Top Channel se asnjëri prej 140 ligjvënësve nuk është nën hetim.