SPAK e ka marrë të pandehur, kryebashkiaku socialist thotë se nuk do të dorëhiqet

Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme ku i është komunikuar përfundimi i hetimeve, dy javë pasi ai u mor i pandehur nga SPAK.

Për gazetarët, jashtë dyerve të SPAK ku qëndroi për rreth dy orë, ai tha shkurtimisht se nuk do të japë dorëheqje nga detyra e tij, por do të qëndrojë në krye të Bashkisë Devoll.

Eduard Duro akuzohet për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, pasi ka licencuar një karburant që ishte ndërtuar pa leje.

Së bashku me të nën hetim janë edhe pesë punonjës të bashkisë, mes të cilëve specialistë të taksave dhe sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Devoll.

Shkak për hapjen e dosjes është bërë denoncimi nga një tjetër pronar karburanti që ka ngritur pretendimet se subjekti i ri nuk ka pasur certifikatë të pasurisë në objektin ku do të ushtronte aktivitetin.