SPAK do të raportonte për hetimet ndaj Veliajt, shtyhet për të martën seanca në GJKKO

Është shtyrë për të martën ora 11:30 seanca në GJKKO ndaj kryebashkiakut, Erion Veliaj ku SPAK do të paraqiste raportin dymujor sa u takon hetimeve që po bëhen ndaj tij.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa në gjykatë e biznesmenit Elman Abule, i cili është me masë arrest në shtëpi.

Ditën e sotme ishte parashikuar që SPAK të paraqiste në gjykatë informacionin dy mujor lidhur me hetimet për kryebashkiakun që ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt, i akuzuar për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash dhe fshehje pasurie, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në detyrim paraqitje.

Disa javë më parë SPAK njoftoi se ndaj Erjon Veliajt dhe Ajola Xoxës ishte regjistruar një procedim i ri.

Bëhet fjale për vepren penale të fshehjes së pasurisë, pasi dyshohen se gëzojnë pronësi faktike në dy pasuri që nuk i kanë deklaruar, një prej të cilave shtesë, që janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë në rezidencën Kodra e Diellit në pronësi të tyre.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO vendosi sekuestrimin e dy pasurive të çiftit.