Sot i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh”, Jorgo Papingjit

Ditën e sotme do t’i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Papingji ndërroi jetë më datë 21 mars teksa prej ditësh ishte i shtruar në Sanatorium pasi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Homazhet për të autorin dhe poetin e njohur do të mbahen në orën 11:00 në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar.

Më pas trupi i Papingjit do të përcillet për në banesën e fundit.

Jorgo Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në një kohë prej më shume se 40 vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH-së dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.

Jorgo Papingi mban titullin “Mjeshtri i Madh” dhe gjatë gjithë jetës së tij ka shkruar mbi 4000 këngë.

Papingji ka bashkëpunuar me këngëtarë më në zë në vend si Luan Zhegu, Anila Bitri, Manjola Nallbani, Ledina Çelo apo Aurela Gaçe.