Pas 1 muaji fushatë elektorale, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën qytetarët do u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.
Këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.
Ndërkohë procesi i votimit do të nis nesër në ora 07:00 dhe qendrat mbyllen në orën 19:00. Sipas KQZ dhe Kodit Zgjedhor, ato qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në raste të fluksit të votuesve në qendrën e votimit dhe mbyllen vetëm pasi të ketë ushtruar të drejtën edhe zgjedhësi i fundit që ndodhet aty.
Mbi 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel. Uniformat blu kanë marrë në ruajtje KZAZ-të, që në momentin që në to kanë shkuar materialet zgjedhore.
Në këto zgjedhje, të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë. Vota e emigrantëve që votojnë për herë të parë pritet të jetë një faktor në këto zgjedhje.
Nesër në orën 19:00 është afati i fundit për mbërritjen e zarfeve me fletët e votimit nga jashtë vendit. Zarfet që mbërrijnë pas kësaj ore nuk do të pranohen, sic ka bërë me dije kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Për votën e Diasporës pati një interes të lartë, sidomos nga shqiptarët që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani dhe SHBA, që kishin dhe numrim më të lartë të regjistrimeve.