Sot dita e 10-të e protestave për Zvërnecin, Rama për Al Jazeera: Projekti do të realizohet

“Projekti në Zvërnec është një bekim për vendin dhe do të realizohet”. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për Al Jazeera.

Pavarësisht protestave që po zhvillohen kundër këtij projekti, kreu i qeverisë shqiptare thotë se asnjëhere nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo.

Gjatë intervistës, Rama hodhi poshtë raportimet se qeveria po shet ose po i kalon pronë publike investitorëve privatë, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje mes palëve private.

“Asnjëherë nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë.

Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, u shpreh Rama për Al Jazeera.