Sondazhet folën, si pritet të ndryshojë Parlamenti pas 11 Majit

Kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, që do të vendosin se kush do t’i qeverisë shqiptarët në 4 vitet e ardhshme.

Për herë të parë do të votojë edhe Diaspora, që me më shumë se 250 mijë votat e saj do të jetë një faktor kyç në ndarjen e mandateve.

Ndërkohë që 11 Maji pritet me interes, prej disa muajsh në media të ndryshme në vendin tonë janë publikuar rezultatet e sondazheve, që thuajse tregojnë të gjitha të njëjtin përfundim, një mandat të katërt për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama.

Por, nëse fitorja e PS-së nuk përbën më një lajm, fokusi kryesor është te rezultati që do kenë partitë e reja, që sipas sondazheve do të arrijnë të sigurojnë vendet e tyre në Parlamentin e ardhshëm, si një shpresë për t’i rikthyer sërish integritetin asaj salle që për 4 vitet e kaluara ka qenë vendi i zhurmës dhe marrëveshjeve të heshtura.

Sipas sondazheve, përveç PS-së që ngelet mazhorancë, PD-së që duket se do të ketë më pak deputetë se zgjedhjet e vitit 2021 dhe PSD-së Tom Doshit, në sesionin e ardhshëm parlamentar do të kemi në sallë edhe deputetët e Partisë Mundësia, Nismës Shqipëria Bëhet dhe Lëvizjes Bashkë.

Por le t’i marrim me radhë:

Partia Mundësia sipas sondazheve duket se do të jetë forca e tretë politike pas 11 Majit, që do të prodhojë edhe numrin më të madh të deputetëve nga partitë e reja. Në Tiranë kjo forcë politike synon deri në 4 mandate, ndërsa gjasat janë që të sigurojë mandat edhe në Vlorë, teksa do të luftojë deri ën fund për një mandat edhe në Elbasan, Durrës apo Fier.

Si një parti e djathtë dhe me politika të djathta e vizion të qartë, kreu i saj Agron Shehaj ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me asnjë përveç qytetarëve, duke premtuar të bëjë një opozitë të fortë siç nuk është parë kurrë në këto 34 vite.

Nisma Shqipëria Bëhet do të vijë në Kuvendin e ardhshëm si një koalicion mes Adriatik Lapajt, Endri Shabanit dhe Pano Sokos. Sondazhet tregojnë se në Tiranë mund të shkojnë deri në 3 mandate, teksa do të jenë në garë për të siguruar mandate edhe në qarqet e tjera.

Pas një fushate në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë, ky koalicion do të provojë të jetë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, teksa edhe Lapaj e Shabani kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë nga partitë e vjetra.

Lëvizja Bashkë ka dalë partia më pak e mbështetur në sondazhe nga partitë e tjera të reja, por zgjedhjet e vitit 2023 treguan që kjo parti di të surprizojë. Kryetari Arlind Qori e ka vendosur veten të dytin në Tiranë, por sondazhet e mediave tregojnë se kjo parti mund të marrë vetëm 1 mandat në kryeqytet, që do t’i takonte Redi Muçit, por nuk do të jetë aspak surprizë nëse edhe Arlind Qori do të ishte pjesë e Parlamentit të ardhshëm.

Si një parti e majtë e krijuar nga aktivistë që kanë dalë çdo herë në mbështetje të qytetarëve dhe punëtorëve, Lëvizja Bashkë do të sjellë në Kuvend një qasje të së majtës së vërtetë, duke qenë zëri i punëtorëve për çdo të drejtë që u është shkelur.