Sokol Sadushi zgjidhet Kryetar i Gjykatës së Lartë me 17 vota pro

Ditën e sotme u zhvilluan zgjedhjet për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, nga ku Sokol Sadushi u zgjodh Kryetar i kësaj gjykate me 17 vota pro dhe vetëm 1 votë kundër.

Në vitin 2020, Sadushi u zgjodh Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë dhe ka ushtruar kompetencat e Kryetarit deri në zgjedhjet e fundit.

Kush është Sokol Sadushi?

Në vitin 1986 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ka ushtruar profesionin e juristit në pozicionin si prokuror, pedagog universitar, avokat dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në mars 2020, u emërua gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe me korrik mori pozicionin e Zëvendëskryetarit.

Shpeshherë emri  i tij është lakuar dhe ka qenë kryefjalë e lajmeve, në vetingun që iu bë bashkëshortes e që hodhi hije dyshimi mbi pasuritë e tij.

Njoftimi për median:

Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi më datë 17.10.2023 procedurën për zgjedhjen e Kryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Referuar kërkesave të nenit nenin 51 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), nenit 26, pika 1 të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar), si edhe vendimit Nr. 485, datë 21.09.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për miratimin e rregullave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë”, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.

Në përfundim, rezultoi i zgjedhur me me 17 vota pro dhe 1 votë kundër, Z. Sokol Sadushi, si Kryetar i Gjykatës së Lartë.