Është zhvendosur nga Kryeministria drejt Kuvendit protesta e opozitës.
Ndryshe nga dy protestat e kaluara, në tubimin e sotëm, kryedemokrati Sali Berisha nuk shkoi në selinë blu, por iu bashkua qytetarëve drejt Kuvendit.
“Edi Rama është i pashpresë”- tha Berisha para Kuvendit.
Kjo është protesta e tretë kombëtare e Partisë Demokratike për vitin 2026, teksa çdo të hënë zhvillon Foltoret para Kryeministrisë.
Kujtojmë se gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë, Berisha tha se kryeministri Edi Rama i ka ditët e numëruara. Ai e quajti Ramën një “kalbësirë politike”, ndërsa bëri thirrje për rrëzimin e qeverisë.
Berisha shtoi se ata që morën pjesë në protestën e 35 viteve më parë nuk do ta kishin imagjinuar se, pas kaq vitesh, shqiptarët do përballeshin me një regjim sipas tij “jo identik, por të ngjashëm në shumë aspekte”.
“Është dita kur 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve, nën thirrjen e Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisen drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajper. Në një betejë e cila shënon kulmin e guximit. Përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e Satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin i cili në 46 vite persekutoi, burgosi, ekzekutoi dhe varfëroi më shumë shqiptarë se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur. Nderim përjetë atyre guximtarëve. Të gjithë ata që ishin në shesh nuk do ta kishin imagjinuar se 35 vite më vonë do përballeshin me një regjim jo identik, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë aspekte”, tha ai.