Skema, Shehaj: Rama tjetërsoi brenda ditës 19 mijë m2 tokë publike me kompaninë guackë

Deputeti Agron Shehaj ka reaguar sërish në lidhje me investimin rreth 200 milionë euro në Tiranë, ku një kompanie që sapo ishte krijuar, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli dhe kazinoje teksa ka “zbërthyer” skemën e ndjekur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Por mbi të gjitha duke i falur 19 mijë metër katrorë tokë publike në kryeqytet.

Sot deputeti Shehaj ka dhënë detaje të reja se si Komiteti i Investimeve Strategjike më 1 gusht të vitit 2023, i anuloi statusin e investitorit strategjik kompanisë “Al Shiddi”, dhe po në këtë ditë ia “dhuron” “Adriatic Resorts”, e sapo krijuar dhe me pronar fiktiv dhe të fshehur pas një kompanie guackë.

E gjitha kjo shpjegon ai, bëhet për të fshehur tjetërsimin e pronës publike nga kryeministri Edi Rama.

Deputeti Shehaj sqaron më tej se kompania “Adriatic Resorts” ka përgatitur dhe dorëzuar planin e biznesit, burimin e financimit, programin e punës dhe afatet e gjithçka tjetër për këtë investim brenda pak orësh, që është e pamundur.

Po aq e pamundur është edhe shqyrtimi i dokumentacionit nga Agjencia Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

Shehaj shpjegon se kryerja e të gjitha këtyre procedurave, është sërish një aferë korruptive e qeverisë Rama, ku ka përdorur një kompani guackë dhe pronat fiktivë për marrjen e 19 mijë m2 tokë publike.

Postimi i Shehajt:

Më datën 1 Gusht 2023, Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga Edi Rama mblidhet dhe vendos të anullojë statusin ‘investitor strategjik’ dhe faljen e 19.000 m2 tokë publike kompanisë Al Shiddi Trading, dhe po të njëjtën ditë, miraton statusin ‘investitor strategjik’ dhe faljen e tokës kompanisë “Adriatic Resorts”, e sapo krijuar dhe me pronar fiktiv dhe të fshehur pas një kompanie Guackë.

Fakti që vendimi për anullimin e statusit strategjik njërës firme, dhe dhënies të një tjetre të njëjtën prone publike në të njëjtën datë, tregon se vendimet dhe procedurat janë thjesht fiktive për të fshehur tjetërsimin e pronës publike nga kryeministri Edi Rama.

Bazuar në vendimet e Ramës, brenda disa orëve nga anullimin i statusit strategjik për grupin “Shiddi” , kompania “Adriatic Resorts” me pronarë të fshehur paska pergatitur dhe dorëzuar planin e biznesit, burimin e financimit, programin e punës dhe afatet, vlerësimin e ndikimit social, studimin e fizibilitetit dhe përfitimet ekonomike e sociale të vendit, bashkë me numrin e të punësuarve dhe dokumentacionin që provon këto zotime.

Që gjithë ky dokumentacion të jetë përgatitur dhe dorëzuar brenda ditës është qartësisht e pamundur.

Është e pamundur gjithashtu që brenda të njëjtës ditë, i gjithë dokumentacioni të jetë shqyrtuar nga grupi operacional i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, pasi grupi teorikisht duhet të marrë ekspertë dhe nga institucione të tjera dhe studion qindra faqe të cilat ka detyrimin t’i verifikojë!

Nëse dokumentacioni është vlerësuar përpara mbledhjes së Komitetit, nga e ka ditur grupi i posaçëm vendimin për anullimin që do të merrte një organ kolegjial që në hierarki është mbi të?

Është e qartë që marrja e vendimeve dhe “kryerja” e të gjitha procedurave brenda të njëjtës ditë tregon që kemi të bëjmë me një aferë korruptive të drejtuar nga kryeministri me qëllim marrjen e 19.000 m2 pronë publike.

Shikoni skemën se si kryeministri Rama kërkon të fshehë edhe këtë rast korruptiv nëpërmjet pronarëve fiktive dhe zinxhirit të kompanive guackë.