SKANDALI/ Kryebashkiaku socialist sfidon drejtësinë, thyen masën “arrest shtëpie” dhe bën mbledhje me stafin në bashki

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, ka sfiduar sot drejtësinë duke thyer masën e arrestit të shtëpisë, të caktuar nga GJKKO.

Mësohet se Byberi është paraqitur në ambientet e bashkisë ku ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e administratës, e më pas është larguar, raporton Top Channel.

Kryebashkiaku socialist ndodhet në masën “arrest shtëpie”, i akuzuar nga SPAK për 3 vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës”, por pavarësisht kësaj ai e ka thyer masen e sigurisë, duke sfiduar SPAK dhe GJKKO.

Sipas hetimeve të SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Byberi dhe nënkryetarin e bashkisë Abedin Kërnaja, kanë shkelur ligjin në miratimin e dy vendimeve në Këshillin Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh.

Kujtojmë se në shtator të këtij viti, pas vendimit të GJJKo për Byberin, Zyra Islamaj është komanduar si kryetare e Bashkisë së Tropojës.