Skandal me zgjedhjet për drejtuesit e rinj të universiteteve publike, kutitë e votimit me logon e Partisë Socialiste

Ditën e sotme mbahen zgjedhjet në 12 universitetet publike në vend.  Në këto zgjedhje garohet për organet drejtuese në pozicionin e rektorëve, dekanëve dhe shefave të departamenteve.

Por ajo që është e paprecedentë dhe skandal është se në kutitë e votimit të drejtuesve të rinj të universiteteve shfaqet edhe logoja e Partisë Socialiste.

Në videon e publikuar nga Disidentët, duken edhe dy kutitë e votimit bashkë me logon e PS, në zgjedhjet në Universitetin e Vlorës.

Ndërkohë ajo që bie në sy është së në universitetet kryesore të vendit, ka vetëm një kandidat në garë, duka ua bërë më të lehtë rrugën drejt zgjedhjes apo rizgjedhjes në postet drejtuese.

Në universitetin e Tiranës, në garën për rektor është Artan Hoxha, i cili kandidon i vetëm dhe që do të marrë edhe mandatin e dytë.

Në universitetin e Mjekësisë në vend të rektorit Arben Gjatës, i cili ka plotësuar kushtin ligjor prej dy mandatesh dhe nuk mund të rikandidajë më, në garë është futur vetëm Xheladin Draçini, i cili është dekan i fakultetit të Mjekësisë.

E njëjta situatë edhe në univeristetin Politeknik, ku për rektor në garë është vetëm Akli Fundo.

Në universitetin Bujqësor rektori aktual Fatbardh Sallaku garon për një mandat të dytë dhe nuk ka kandidat tjetër.

Pra në 4 universitetet më të mëdha në vend, nuk ka alternativë në këto zgjedhje, ku drejtuesit e tyre dihen që pa nisur gara.

Zgjedhjet kanë nisur në orën 08:00 dhe do të vijojnë deri në 16:00, më pas do nis procesi i numërimit dhe rreth orës 20:00 pritet që të dal edhe rezultati, qe nuk pritet te jetë aspak befasues.