Situata me zjarret, Ministria e Mbrojtjes: Dy vatra janë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në të gjithë vendin deri paraditen e ditës së sotme janë raportuar 7 vatra zjarri.

5 prej tyre janë shuar plotësisht, ndërsa 2 vatra mbeten ende aktive, në Vlorë dhe Kukës.

Vatrat e zjarrit që janë shuar janë: Në lagjen “Mulliri i Artë”, bashkia Delvinë, në fshatin Alarup, njësia administrative Çërravë, bashkia Pogradec, në rrugën e Elbasanit, njësia administrative Nr. 2, bashkia Tiranë, në fshatin Rilë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë dhe në fshatin Malaj, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.

Ndërkohë aktualisht, janë aktive dy vatrat në qarkun Vlorë dhe Kukës.

Sa i takon qarkut Vlorë, vatra aktive është në fshatin Llaman, bashkia Himarë, ku janë duke operuar: 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Himarë, 40 efektivë FA nga DRM Gjirokastër me 4 automjete transporti dhe ⁠1 helikopter i FA. Në mbështetje nga bashkia Himarë në terren janë edhe 30 forca nga Shërbimi Pyjor, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Himarë, nga njësitë administrative Himarë, Horë – Vranisht dhe Lukovë.

Saqkaq në qarkun e Kukësit, zjarri ka rënë në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, ku po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe situata është drejt përmirësimit.