Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me shpërthimin e fortë që u regjistrua sot në një kapanon në qytetin e Lushnjës.
Si pasojë e shpërthimit një person ka humbur jetën dhe tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre deputeti i PS Bujar Çela.
Kapanoni ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela.
Policia njofton se një vinçier duke drejtuar një vinç ka prekur linjën e tensionit të lartë aksidentalisht dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi Landi Verçani ndërsa raportohet se deputeti Çela iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Lushnjes. Ndërkohë nuk dihet gjendja shëndetësore e plagosurve të tjerë.
Një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, akisdentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur tetë shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.