“Si mund të kurojnë duart e prangosura”, studentët e Mjekësisë hedhin vezë drejt Ministrisë së Arsimit

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë mbërritur mesditën e kësaj të mërkure përpara Ministrisë së Arsimit, ku po protestojnë për ligjin e miratuar për punën me detyrim 5 vite pas përfundimit të studimeve. Ata thonë se ligji duhet të shfuqizohet.

Ata janë ulur në tokë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të transportit urban.

Në shenjë proteste, studentët kanë qëlluar me vezë godinën e institucionit arsimor. Veç të tjerash studentët kërkojnë dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit Albana Tole dhe përballje me ministren Ogerta Manastirliu.

Kujtojmë që dy ditë më parë u bë publike tarifa 240 mijë lekë të rinj që studentët duhet të paguajnë për një vit akademik, nëse nuk duan të ofrojnë shërbim mjekësor në vendin e tonë deri në 5 vite. Por studentët kanë paralajmëruar se nuk do ta nënshkruajnë kontratën.

Studentët kanë paralizuar qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Durrësit, duke u ulur në mes të rrugës.

“Si mund të kurojnë duart e prangosura”, shkruhet në një nga pankartat që mbajnë në duar.