Shtyhet sërish seanca në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha

Gjykata e Posaçme e ka shtyrë sërish seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit Partizani.

Edhe sot Berisha nuk është paraqitur për të dëshmuar, teksa dy avokatet që do ta përfaqësojnë, Jalldiz Kastrati dhe Rabie Canalia, kanë kërkuar kohë të njihen me aktet e procedimit penal, ndaj gjykata ka vendosur ta shtyjë seancën për në orën 15:00.

Kujtojmë se avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi braktisën seancën dhje, pasi gjykata nuk pranoi që çështja të shkonte në Kushtetuese. Për të mbrojtur Berishën u caktua avokati Artan Simoni, por gjykata e zëvendësoi brenda pak orësh për shkak të postimeve të tij kundër ish-kryeministrit.

Tashmë do të jenë dy avokatet ato që do të mbrojnë Berishën, i cili refuzon të paraqitet për të dëshmuar.

Njoftimi i GJKKO:

– Në datën 26.10.2023, ora 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

– Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për tu njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar diten e sotme, në orën 15.00.