Shtyhet gjyqi për dosjen “Partizani”, avokatët e Berishës kërkojnë ndryshimin e trupës gjykuese

Është shtyrë seanca e dytë për çështjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme, me seancën e radhës që do të mbahet në 15 Shtator.

Kjo shtyrje ka ardhur për shkak të kërkesës së avokatëve të Berishës për përjashtimin e treshes gjykuese, pasi sipas tyre, nuk janë të pavarur dhe kontrollohen nga SPAK.

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. Gjyqtarët e gjykatës se posaçme janë në monitorim të vazhdueshëm gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Ai shtoi se ka kërkuar përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nga kjo çështje, pasi nuk përmbushim kriterin e paanshmërisë. Sipas tij, kjo çështje duhet të gjykohet nga gjyqtarë jashtë GJKKO-së.

Të pandehurit dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme:

Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin

Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Fatmir Bektashi – , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

 Xhimi Begeja– Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’  akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim

Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k –  Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.

Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.