Shteti në këmbë për Ballukun, Mundësia publikon videon me blindat: 82 deputetë mbrojtën korrupsionin, bllokadë drejtësisë

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri e ka quajtur një turp vendimin e mazhorancës socialiste këtë të enjte, që e rrëzoi në Kuvend me 82 vota kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish.zv kryeministres Belinda Balluku.

Duke iu referuar numrit të lartë të efektivëve të policisë që ishin në terren përreth Parlamentit gjatë kohës që në seancën plenare u votua kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Kapri nënvizon se i gjithë shteti dhe pushteti “u ngritën në këmbë sot për ta mbrojtur Belinda Ballukun.

“Policia në gatishmëri me mijëra forca në mbështetje të zyrtarëve të korruptuar”.

Kapri thekson se deputetët socialist u futën në historinë e turpit duke u bërë “barrikadë për drejtëinë” ndaj zyrtarëve të lartë.

“Si duhet të ndihet një politikan që nuk ecën dot në rrugë, sepse akuzohet se ka vjedhur paratë e qytetarëve të vet? Dhe që ka ngritur gjithë shtetin e pushtetin në këmbë për ta mbrojtur?

Po ata 82 deputetë që ngritën kartonat për të mbrojtur korrupsionin dhe për t’i bërë barrikadë drejtësisë? Çfarë turpi!”, shkruan deputeti Kapri në rrjetet sociale bashkangjitur videos.

Reagimi i Erald Kaprit:

I gjithë shteti në mbështetje të imunitetit të Belinda Ballukut.

Po numërojmë blindat e Policisë tek Pedonalja për të mbrojtur imunitetin e zonjës Balluku.

Një, blindi tjetër këtu, ky është ai që hedh ujë, makina tjetër 3, makina e katërt, makina e pestë, ambulancë, një blind tjetër i RENEA-s, gardhe me policë

Shikoni se çfarë ndodh në Pedonale. Është bllokuar gjithë qendra e Tiranës, është mbyllur çdo biznes këtu. Rrethuar me forca policie edhe me gardh edhe shikoni çfarë bëhet.

Vazhdojnë akoma edhe rrethojnë zonën. Policia në gatishmëri me mijëra forca në mbështetje të zyrtarëve të korruptuar.

Shikoni, shikoni çfarë bëhet!