Në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri ditën e sotme, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, njoftoi se Shqipëria ka dalë nga lista gri e Task Forcës për Veprimin Financiar, e njohur ndryshe si lista gri e pastrimit të parave.
“Dua ta nis me një lajm të mirë për Shqipërinë. Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve”, deklaroi Mete.
Fill pas kësaj deklarate, erdhi edhe reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili nxitoi të merrte një pjesë të meritave.
Sipas Çelës, kjo arritje erdhi për shkak të kontributit thelbësor të seksioneve të posaçme në shtatë prokuroritë kryesore të vendit, ngritur në kuadër të zbatimit të strategjisë së hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2020 për të luftuar fenomenin e pastrimit të parave.
“Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, fryt ky edhe i një kontributi thelbësor të seksioneve të posaçme në 7 prokuroritë kryesore të vendit, ngritur në kuadër të zbatimit të strategjisë së hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2020 për të luftuar fenomenin”, – shkruan prokurori.
Shqipëria zbriti në listën gri të pastrimit të parave të “MoneyVal”, institucionit monitorues të Këshillit të Evropës, në vitin 2018.