Shpifi dhe hodhi akuza për blerje votash, procedohet penalisht Gjin Gjoni në Lezhë

Policia e Lezhës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë kandidatin e Partisë Demokratike në këtë qark, Gjin Gjonin.

Procedimi ndaj tij nisi pas një kallëzimi,që kanë bërë disa përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Socialiste në qytetin e Lezhës.

Sipas Policisë, Gjin Gjoni akuzohet për veprën penale të “shpifjes”, pasi ka publikuar në rrjetin social Facebook identitetet e pesë shtetasve, të cilët i akuzon publikisht për blerje votash dhe intimidim të zgjedhësve.

Ata pretendojnë në kallëzimin e tyre se Gjin Gjoni ka cënuar integritetin e tyre dhe pretendimi i tij për blerje votash është i pavërtetë.

Njoftimi i Policisë;

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish”, njofton policia.

Postimi i Gjin Gjonit më 4 maj

Denoncim publik: Kriminelët elektoral janë aktivizuar – Drejtësia të veprojë me urgjence!

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet – kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë!

Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve:

 • Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh

 • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen

 • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre

 • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë

 • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati

 • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen

 • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç

Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditet në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetersohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara.