Shpërthimi në Lushnje/ Gjykata lë në burg sipërmarrësin e kompanisë që kryente punimet, Gjini: Nuk ishin punëtorët tanë

Gjykata ka lënë sot në burg sipërmarrësin Leonard Gjini, i arrestuar pas shpërthimit të ndodhur në Lushnjë.

Gjini akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën babë e bir dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre dhe deputeti i PS, Bujar Çela.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 mars në zonën industriale, teksa në magazinë ishin duke u kryer punime. Roland dhe Elidion Hoxha, babë e bir, ndërruan jetë pas shpërthimit të shkaktuar nga bombulat e oksigjenit që ndodheshin në vendngjarje.

I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontrate të rregullt me deputetin për  të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Megjithatë gjykata e Fierit e ka mbajtur ne burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit te punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë  ndërtimi. Ndërkohë avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.