Shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Kurti: Sulm terrorist, i orkestruar nga Serbia! SHBA dhe BE dënojnë sulmin

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se është përdorur rreth 15 kg eksploziv për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, duke e konsideruar si akt terrorist.

“Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit u dëmtua seriozisht, nuk dihet ende saktësisht për eksplozivin, por sipas eksperteve të policisë, flitet diku për rreth 15 kg eksploziv”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për sulm kriminal dhe terrorist, i cili, sipas tij, synoi të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të vendit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier përmes një shkrimi në X tha se ShBA po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.

Edhe Bashkimi Europian e denoi sulmin e mbremjes se djeshme.

E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.