Shoqëronte Ilir Metën në makinë kur e arrestuan, dëshmitari tregon momentet e para: Na rrethuan, kujtuam se po na grabisnin

Sekretari për çështje organizative në PL, Artemis Peca, i cili po drejtonte makinën në kohën që u arrestua Ilir Meta ka treguar momentet e para dhe përballjen me forcat e BKH-së dhe të policisë.

Peca ka thënë se fillimisht kanë menduar se kishin rënë pre e një grabitjeje dhe se ishin trembur, ndërsa shton se efektivët nuk ndërmerrnin veprimet proceduriale pasi kishin frikë dhe prisnin urdhra nga lart.

Deklarata e Pecës u bë gjatë një konferencë të jashtëzakonshme të Partisë së Lirisë, pak orë pas arrestimit të Ilir Metës, ndaj të cilit rëndojnë tre akuza: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

“Ne po vinim me makinë dhe po vinin disa makina nga pas dhe unë ula shpejtësinë dhe më pas na rrethuan makinën. Pastaj dolën disa banditë me maska dhe nuk kishin as uniformë dhe kishin armë dhe na hapën dyert dhe na thanë hajdeni me ne. Ne menduam se po na grabisnin dhe në një moment u trembëm, por kur pash një makinë policie mendova se ishte policia e Ramës dhe Dumanit dhe nuk kishin asnjë vendim. Na shoqëruan në komisiariat dhe ata kur shkuam atje nuk bënë asnjë veprim sepse prisnin urdhra nga Dumani vinin vërdallë dhe korridore dhe flisnin në telefona. Ishte një akt i tmerrshëm”, tha ai.