Shoqata e Naftëtarëve i jep “Certifikatën e Mirënjohjes” Belinda Ballukut që i la pa bukë

“S’ka ofiq që të mos ketë rrethin e vet të sahanlëpirësve”, thoshte Viktor Hygo teksa përshkruante servilizmin në botë.

Kjo shprehje i shkon për shtat asaj që ka ndodhur pak ditë më parë, ku Shoqata e Naftëtarëve i dha “Certifikatën e Mirënjohjes” ministres Belinda Balluku.

Kjo certifikatë, e cila duhet t’u jepet atyre që vërtet kanë kontribuar në sektorin e naftës, iu dha ministres që nuk denjoi kurrë të dëgjonte hallet e naftëtarëve, ministres që i la pa bukë për vite me radhë, ministres që bashkë me shefin e saj mbyllën Rafinerinë e Ballshit.

Por ky grup njerëzish që duket se kanë humbur lidhjen me realitetin vendosi të serviloset dhe të hedhë poshtë vuajtjet e mijëra familjeve që ngelën pa asnjë të ardhur kur qeveria vendosi t’i nxjerrë në rrugë.

Janë dhjetëra protesta të naftëtarëve në Tiranë, të cilët kërkuan takim edhe me Ballukun, por kjo e fundit jo vetëm që nuk i priti, por nxori edhe policinë t’i largonte nga Ministria që drejton.

Sot, këta naftëtarë janë mbetur të pashpresë, pa pagë dhe me borxhe, teksa shohin se si një grup njerëzish shkelin me këmbë vuajtjet e tyre dhe nderojnë atë që detyroi mijëra vahza dhe djem të mos shkollohen për shkak të pamundësive financiare.

Ndërkohë, teksa Balluku mban e buzëqeshur në dorë “Certifikatën e Mirënjohjes”, naftëtarët mbajnë në duar vendimet e gjyqit për rrogat e tyre të pa paguara, për të cilat duket se kanë humbur çdo shpresë, pasi shteti nuk mban asnjë përgjegjësi.

Ky është realiteti i naftëtarëve, i atyre që Belinda Balluku dhe qeveria e Ramës ua shtoi hallet dhe streset, i atyre që i lanë pa bukë, i atyre të grevave dhe protestave që nuk gjetën kurrë të drejtën e tyre.

Media Ditari kontaktoi me një prej anëtarëve të Sindikatës së Naftëtarëve, i cili e konsideroi turp këtë veprim të të ashtuquajturve “Shoqata e Naftëtarëve”.

“Nuk ka turp më të madh për ne naftëtarët kur shohim se Belinda Balluku nderohet që na la pa bukë. Nuk e dimë kush janë këta që i japin çmim, por s’kanë asnjë lidhje me ne që kemi bërë greva e kemi protestuar para Ministrisë së Energjitikës, por nuk na u hap kurrë dera. Jemi mbi 1000 familje që presim të marrim rrogat e prapambetura, pasi është djersa jonë që kemi punuar prej vitesh, atje në helm, por na hoqën sikur të mos ishim njerëz. Turp, nuk di çfarë të them tjetër, Ballukut i duhej dhënë certifikatë turpi dhe jo mirënjohje”, u shpreh ai ndër të tjera.

PS: Naftëtarët mund të mos jenë paguar për punën e tyre, por tani mund të kenë një kujtim të çmuar: një certifikatë që tregon se kanë kontribuar në një sektor që po vdes.