Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sot para trupës gjykuese për të kërkuar lirinë e tij. Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të 2024-es, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë.
Gjatë ditës së sotme, ai ka sjell para GJKKO një sërë argumentesh që sipas tij, e bëjnë mbajtjen në qeli në shkelje të ligjit.
Teksa ka mohuar akzuat që SPAK ka ngritur ndaj tij, Meta ka ndarë edhe një detaj rreth marrëdhënies me ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi, për të cilën thotë se në një episod shkeli rëndë besimin e tij.
Në faqen 3 paragrafi i fundit organi procedurës pretendon se:
Si rezultat i kësaj veprimtarie dhe ushtrimit abuziv të pushtetit, palët kanë përfituar nga shtetasi Ardian Shatku dhe UNIFI, të ardhura të konsideruara, duke përfshirë përqindjen e fitimit si dhe pajisjen nga A. Shatku disa herë me karta krediti.
Mbrojtja: Ky konkluzion është tërësisht tendencioz pasi nuk ekziston asnjë provë apo indicie që Z. Meta të ketë qenë në dijeni të përfitimeve të paligjshme apo të ligjshme të ish-bashkëshortes nga A.Shatku.
Referenca për ndarjet e përqindjeve në celularin e Znj. Kryemadhi që pretendon SPAK-u, i takon Znj. Kryemadhi ta sqarojë. Akoma më tendencioze është përpjekja e prokurorëve për të paraqitur Z. Meta si bashkëpërfitues apo në dijeni të kartave të paligjshme që pretendon akuza, të cilat edhe vetë sipas saj janë vetëm në emër të Monika Kryemadhit, e cila sipas SPAK, rezulton edhe përfituese e tyre. Zoti Meta jo vetëm që s’ka qenë në dijeni të kësaj marrëdhënieje të paligjshme , por pasi ka mësuar se pas kontrollit në banesën e nënës së Znj. Kryemadhi, ekzistonte një kartë e tillë, por e papërdorur, sipas zonjës Kryemadhi, vendosi edhe divorcin ligjor me të duke e vlerësuar si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike. Z. Meta vetëm në seancën e parë, pas arrestimit të tij, në Gjykatë u njoh me përdorimin e kësaj karte në San Marino nga akuza.
Ndërsa për dy kartat e tjera është njohur vetëm ditën e komunikimit të akuzës si i pandehur më 27 Maj. Po kështu, organi i akuzës provon vetë se Monika Kryemadhi është e vetmja përdoruese e kësaj karte, dhe në asnjë rastë të vetëm nuk provohet se Z. Ilir Metaj ka përdorur këto.