Shkarkohet Erion Veliaj

Data 23 shtator 2025 shënon edhe fundin e rrugëtimit të Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, post që ai e mbante që prej 2015-ës. Nga qelia e paraburgimit të Durrësit, ai ka marrë lajmin se Këshilli Bashkiak vendosi pro shkarkimit të tij, një vendim që pritej pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama që vendosi fatin politik të tij.

Ashtu siç pritej, Këshilli Bashkiak i Tiranës në mënyrë unanime ka votuar për të shkarkuar Erion Veliajn, si kryetar i Bashkisë Tiranë. Ndërkohë i takon Këshillit të Ministrave që të miratojë vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, tha se vendimi për shkarkimin e Veliajt është i imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut.

“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur. Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projekt-vendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj”, theksoi Fino.

Në këtë mbledhje nuk kanë votuar Fabjan Topollaj, Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoçi, si dhe Gaz Paja dhe Joleza Koka që nuk ishin prezentë. Ata i qëndruan besnikë deri në fund dhe nuk e tradhëtuan Veliajn, duke refuzuar që të bëheshin pjesë e këtij votimi.  

Erion Veliaj u zgjodh për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e 2015-ës, ndërsa në 14 maj të 2023-it siguroi mandatin e tretë që nuk arriti dot ta çonte deri në fund.

Data 10 shkurt 2025 do të mbahet mend gjatë për Erion Veliajn dhe Partinë Socialiste, ku agjentët e BKH-së i shkuan në mesditë në zyrën e tij dhe i njoftuan arrestimin.

Por prangosja e një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama duket se nuk ka qenë i papritur as për këtë të fundit dhe as për Veliajn pasi kryebashkiaku ishte thirrur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar ndërsa BKH ushtroi kontrolle në banesën e tij dhe atë të vëllait, Arbër Veliaj.

Agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle edhe në qendrën “Harabel”, ku bashkëthemeluese është bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, të cilës iu sekuestrua telefoni për shkak të hetimeve.

Erion Veliaj u paraqit për hërë të parë në SPAK në 30 prill të 2024 lidhur me aferën e inceneratorëve, edhe pse për këtë çështje nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj tij.

Kryebashkiaku i Tiranës qëndroi për 7 orë në ambientet e SPAK dhe pasi doli u tha gazetarëve se kishte qenë ai që kishte kërkuar një takim me prokurorët, të cilët ai i quajti edhe “kolegë”.

Disa muaj më pas konkretisht më 26 dhjetor 2024, ai do të rikthehej sërish në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor 4 orë në pyetje lidhur me hetimet e SPAK ndaj pasurisë së tij.

Por ndryshe nga takimi i parë më “kolegët”, këtë herë Veliaj nuk pranoi të fliste para gazetarëve dhe tha se do ta bënte në Këshillin Bashkiak, që sot e “tradhëtoi” dhe ju bind urdhrit të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste më datë 11 shtator, kërkoi shkarkimin e Veliajt dhe për rrjedhojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës, duke prezantuar edhe Ogerta Manastirliun si kandidate.

Kujtojmë se SPAK e akuzon Erion Veliajn për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.

Pjesë e dosjes “Veliaj” janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika.

Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, kanë përfituar të ardhura monetare dhe pasuri të paluajtshme në këmbim të lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës.