Shkarkimi i Veliajt, Qeveria i dërgon argumentet Kushtetueses: E kërkoi Këshilli Bashkiak, nuk u paraqit 3 muaj në detyrë

Këshilli i Ministrave ka dorëzuar këtë të enjte në Gjykatën Kushtetuese parashtrimet për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.

Në relacionin zyrtar të Këshillit të Ministrave theksohet se “Këshilli Bashkiak ka propozuar shkarkimin, si rruga e vetme ligjërisht e mundëshme në dorën e tij me qëllim fillimin e procedurave të mëtejshme, për të rikthyer normalitetin qeverisës në Bashkinë Tiranë. Ky vullnet politik dhe ligjor i përfaqësuesve të zgjedhur të Kryeqytetit nuk mund të neglizhohet dhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit”.

Në argumentat e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, theksohet se kryebashkiaku nuk u paraqit në detyrë për 3 muaj për shkak të arrestit. Për këtë arsye, Qeveria thotë se ka zbatuar vetëm një akt formal, pasi shkarkimi i Erion Veliajt është iniciuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Megjithatë vlen të përmendet se ishte kryeministri Edi Rama, i cili i kërkoi Këshillit Bashkiak shkarkimin e Veliajt ndërsa njoftoi se Ogerta Manastirliu do të isjte kandidatja e të majtëve në zgjedhjet e Tiranës.

“Këshilli bashkiak ka marrë vendimin nr.69, datë 23.9.2025 në rrethanat kur Kryetari i Bashkisë Tiranë ndodhet në pamundësinë fizike për t’u paraqitur në detyrë prej datës 10 shkurt 2025, për shkak të vendosjes ndaj tij të masës shtrënguese të sigurimit personal. Pavarësisht kërkesave të përsëritura procedurale, gjykata ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pranuar heqjen e masës, apo zëvendësimin me një masë tjetër shtrënguese që do të mundësonte paraqitjen në detyrë.

Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, mbështetur në shkronjën “c”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim”, thuhet në pr.vendimin për shkarkimin e Veliajt që Qeveria ka depozituar në Kushtetuese.