Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ka përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së sotme kërkesën zyrtare të këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj. Kërkesa do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila është parashikuar të zhvillohet në orën 16:00.
Paraprakisht, në orën 15:00, do të mblidhet edhe kryesia e Këshillit Bashkiak, si pjesë e procedurës standarde që paraprin çdo seancë të plotë. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse do të pranohet kërkesa e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt për t’u dëgjuar në këtë mbledhje.
Të premten që shkoi, Veliaj i ka drejtuar një letër zyrtare Këshillit Bashkiak, duke kërkuar pjesëmarrjen e tij në seancë për të paraqitur qëndrimin lidhur me kërkesën për shkarkim.
Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli, i është përgjigjur se, në rast se Veliaj nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, ai mund të paraqesë pretendimet me shkrim.
Partia Demokratike ka kërkuar që Erion Veliajt t’i njihet e drejta për t’u dëgjuar nga Këshilli Bashkiak.
Anëtarët e këshillit të PD kanë konfirmuar se janë pro shkarkimit të tij, por ky proces shtuan ata duhet të bazohet në procedurë të rregullt, me qëllim shmangien e pasojave ligjore.