Një sherr me thikë është regjistruar sot pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
Sipas të dhënave sherri masiv mes disa të rinjve është regjistruar jashtë ambienteve të gjimnazit, ndërsa dy nxënës kanë mbetur të plagosur me thikë.
Gjendja e të plagosurve nuk dihet ende, por policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rastit.
Përdorimi i mjeteve prerëse nga të rinjtë është kthyer në një alarm në vendin tonë, duke sjell në vëmendje ngjarjen e rëndë që u regjistrua pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku 14 vjeçari Martin Cami humbi jetën pasi u godit me thikë nga bashkësmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.
Kamëz/Informacion paraprak
Rreth orës 10:50, te bulevardi “Nënë Tereza”, në rrugë, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, disa shtetas të mitur, të moshave 15-17 vjeç.
Gjatë konfliktit janë dëmtuar, dyshohet me mjet të mprehtë, dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas dhe po marrin deklaratat e tyre.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt.