Kanë mjaftuar reshjet e para të shiut që aksi Qukës – Qafë Plloçë të shembet në një pjesë të tij, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Ky aks që u hap pas 16 vitesh punimesh dhe shtyrjesh, u kushtoi shqiptarëve 260 milionë euro, një nga segmentet më të shtrenjta të ndërtua ndonjëherë në vendin tonë.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku tregohet inaugurimi i aksit nga kryeministri Rama, dhe gjendjen e atij aksi sot, ku rrëshkitja e dherave ka shkaktuar bllokimin e rrugës.
Ai thotë se shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë për projekte korruptive që pasurojnë hajdutët dhe vënë në rrezik jetën e tyre, teksa kërkon që përgjegjësit të dalin para përgjegjësive.
“260 milionë euro janë shpenzuar për propagandë, tallava me kulaç e daulle. Qukës‑Qafë Plloçë është një nga segmentet më të shtrenjta të ndërtuara ndonjëherë në Shqipëri.
Pas 16 vitesh punime, shtyrjesh dhe pritjesh, rruga e sapohapur nuk i ka rezistuar as reshjeve të para.
Kush mban përgjegjësi? Kush firmosi studimet gjeologjike, kush pranoi punimet, kush monitoroi cilësinë? Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë për projekte korruptive që pasurojnë hajdutët dhe vënë në rrezik jetën e tyre”, shkruan Kapri.