Gjatë takimit me qytetarët e Njësisë 1 dhe 2 në Tiranë, Agron Shehaj u shpreh se vota për Partinë Mundësia në 11 Maj do të jetë vota më me vlerë që shqiptarët kanë hedhur që prej vitit 1991.
Ai tha se votat e “Mundësisë” janë votat e ndryshimit, të qytetarëve që deri dje ishin të papërfaqësuar dhe nuk kanë besim te asnjë parti tjetër.
“Votat e Partisë Mundësia janë votat e ndryshimit. Votat e Partisë Mundësia janë votat a tyre që deri dje ishin të papërfaqësuar, që nuk shikonin te asnjë parti politike një parti që i përfaqësonte, që ishte zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë.
E panë që partitë që ata votuan bënë pazare me partinë në pushtet. Vota për Partinë Mundësia jo vetëm që nuk është një votë siç thonë këta që shkon dëm, por votë më me vlerë se ajo për Partinë Mundësia, shqiptarët nuk kanë hedhur nga 1991 deri më sot”, tha Shehaj.
Sondazhet e nxjerrin “Mundësinë” parti të tretë, ndaj Shehaj tha se forca e tij politike do të bëjë një opozitë që nuk është bërë kurrë në këto 34 vite.
“Nëse partitë e reja do marrin një mandat, e para që do ta fitojë do jetë “Mundësia”. Për herë të parë në Parlament do hyjë një parti e pakapur, që do bëjë një opozitë siç nuk është bërë kurrë në këto 34 vite”, u shpreh kreu i Mundësisë.