Partia “Mundësia” ka inauguruar sot hapjen e degës numër 5 në kryeqytet teksa të pranishëm ishin mbëashtetës të shumtë të kësaj force politike të re.
Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj e nisi fjalimin e tij me një falenderim për të gjithë qytetarët që në 2021 e votuan në këtë njësi duke u zgjedhur deputet.
Shehaj u ndal në disa çështje si ekonomia, pensionet ndërsa siguroi edhe njëherë qytetarët se vota e tyre nuk vidhet në kohën kur ata e hedhin atë në kutinë e votimit.
“Të dashur mbështetës, vota nuk preket pas hynë në kuti. Pasi ka hyrë në kuti nuk preket më. Kjo nuk do të thotë që demokracia jonë dhe sistemi i votimit dhe i zgjedhjes së deputetëve nuk ka probleme, ka por nuk është aty. Problemet e demokracisë në Shqipëri janë para se të futet vota te kutia.
Ne do kemi me dhjetëra dhe qindra vota në cdo kuti votimi. E thashë dhe në Durrës, nuk jemi kaq të vdekur ne. Kini besim. Po të kisha bindjen apo dyshimin sado të vogël që vota që unë po ju kërkoj do tjetërsohet s’do merresha më me këtë punë, nuk do ta bëja. Nuk jam kaq i papërgjegjshëm. Kini besim”– u shpreh kryetari i partisë “Mundësia”.
Mes të tjerash, Shehaj i ktheu përgjigje edhe pyetjeve të shumë qytetarëve, mes tyre edhe sa i takon pagave të ulëta në vend.
Sipas Shehajt, të gjitha problemet e Shqipërisë burojnë nga Parlamenti dhe zgjidhja po ashtu, për faktin se mazhoranca është e korruptuar.
“Ne kemi rrogat në të ulëta në rajon, ne kemi çmimet më të larta në rajon, pensionet më të ulëta në rajon, investimet në shëndetësi më të ulëta në rajon, dhe të gjitha këto kanë një element të përbashkët. Të gjitha problemet e Shqipërisë burojnë nga ai Parlament dhe zgjidhja vjen nga ai Parlament, sepse kemi një mazhorancë të korruptuar”– tha Shehaj.