Shehaj: Po rritemi në sondazhe sepse jemi të vërtetë, ndryshe nga gjithë të tjerët

Sondazhet e fundit të publikuara tregojnë që Partia Mundësia e Agron Shehajt është forcë e tretë në Shqipëri, duke rrëzuar paragjykimet se partitë e reja nuk mund të jenë faktor në zgjedhjet parlamentare.

Shehaj thotë se rritja e Partisë Mundësia në sondazhe është sepse kjo forcë politike është e vërtetë dhe ndryshe nga gjithë të tjerët, pasi synon të ndërtojë një Shqipëri që ia del me punë.

“Si ia dolëm? Sepse ne dallojmë nga gjithë të tjerët, nga një anë ne jemi njerëz punëtorë që kemi treguar me jetën tonë se jemi të ndershëm dhe nga ana tjetër, ne nuk premtojmë qiqra në hell. Nuk i themi askujt që do vijë qeveria dhe do t’i bëjë të gjithë të pasur. Themi thjesht që njerëzit kanë nevojë që t’ia dalin në vendin e tyre. Duan thjesht të vijë dikush dhe t’u heqë shtetin nga kurrizi. Ky është vizioni ynë. Dhe kaq mjafton që njerëzit të thonë se nuk jemi si të tjerët, që ne themi të vërtetën.

Po të mos ndjekësh të tjerët në populizma dhe mashtrime, njerëzit të vlerësojnë dhe del rezultati i sondazhit. Në 12 Maj, njerëzit do habiten”, thotë Shehaj.

Pjesë nga biseda në selinë e “Mundësisë”:

Bela: Agron. Këtu bëhet nami me sondazhe Agron
Shehaj: Normale Bela, 11.5% në Tiranë, e kanë marrë vesh të gjithë
Bela: Më çmendën miqtë e mi Agron
Barbara: Po çfarë të thonë?
Bela: Jo po u bëtë ju, s’ka shanse, i keni manipuluar
Shehaj: Le të vazhdojnë Bela, mos e vrit mendjen
Barbara: E dinë çfarë thoshin këta miqtë e Belës në fillim? As Agroni s’ka për t’u bërë deputet. Pastaj kur i takova pas disa kohësh, po, ndoshta i merrni 2 në Tiranë, po asnjë nëpër qarqe. Por tani i kanë parë, që ne i kemi shanset kudo.