Shehaj: Parlamenti teatër, hesht për faljen e Sazanit

Teksa projekti për investimin e dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit ka zënë faqet e revistave prestigjoze botërore për shkak të mungesës së transparencës dhe dritëhijeve të tij, ka qenë deputeti i opozitës Agron Shehaj, i cili në seancën e sotme plenare është ndaluar te projekti, i cili u mbajt sekret nga qeveria ndërsa edhe vetë kryeministri Edi Rama ndryshoi qëndrim brenda 48 orëve.

Deputeti Shehaj nënvizon se në Kuvend, që tashmë i është rikthyer normalitetit, mungojnë diskutimet për vjedhjen e pasurive kombëtare por vijon teatri për reformën zgjedhore apo listat e hapura ndërsa Rama dhe oligarkët e tij kanë kapur çdo pasuri të vendit.

Ai po ashtu është ndalur edhe tek zgjatja e ligjit për investimet strategjike, që tashmë është vërtetuar se është bërë vetëm të vjedhur dhe për të përdorur pasuritë kombëtare për interesin personal dhe politik të kryeministrit Edi Rama dhe oligarkëve pranë tij.

Shehaj kishte edhe një thirrje për shqiptarët, se pavarësisht situatës së vështirë dhe të pashpresë ku ndodhet vendi, zgjidhja e vetme është një alternativë e vërtetë dhe e besueshme, që hap ekonominë dhe krijon mundësi për të gjithë.

Fjala e deputetit Agron Shehaj:

Sot që flasim Shqipëria ka marrë vëmëndjen e disa prej mediave më të rëndësishme në botë.

Interesimi lidhet me një investim të mundshëm, në një nga pasuritë më të rëndësishme me potencial të madh Ekonomik.

Shkrimet ne media kane te bejne me dyshime të forta në lidhje me transparencën dhe motivet e vërteta të këtij investimi.

Por nderkohe qe Bota flet per ne, këtu në këtë Parlament vazhdon teatri. 

Vazhdon teatri me ligjin për reformën zgjedhore. 

Vazhdon teatri me listat e hapura.

Vazhdon teatri me ndryshimet kushtetuese të 2008. 

Flitet për gjithçka, por jo për vjedhjen e pasurive kombëtare, të cilat janë të të gjithëve dhe duhet të shfrytëzoheshin për të rritur mirëqënien e te gjithe shqiptarëve, dhe jo për të zgjidhur punët apo hallet e Edi Ramës. 

Ndërkohë që në këtë Parlament duhej të flitej vetëm për këtë çështje, ketu heshtet.

Pse nuk mburret maxhoranca për këtë investim? Pse nuk thotë një fjalë? Fundja, gjoja për këtë e miratuat ligjin e investimeve strategjike. Pse nuk e bëjnë? Çfarë sikleti kanë?

Arsyeja është shumë e thjeshtë. Jeni bërë gazi i botës. Sepse Rama e ka bërë Shqipërinë paçavure, ku flitet për marrëveshje të errëta dhe lidhje okulte.

Sepse këto lajme kanë treguar qartë se ligji për investimet strategjike është bërë vetëm për të vjedhur dhe për të përdorur pasuritë kombëtare për interesin personal dhe politik të kryeministrit dhe ortakëve të tij oligarkë.

Kur doli lajmi në mediat ndërkombëtare, Rama dhe ju, e shitet si një arritje të madhe,  të një kryeministri me staturë,  kur në fakt kemi të bëjmë me sjelljen tipike të një kryeministri banal ballkanik. 

Ky kryeministër që përfitoi nga rregullat e demokracisë, nga rregulli i rrotacionit politik, tani po bën gjithçka në mënyrën më meskine të mundshme, që shqiptarët të mos ketë mundësi të zgjedhin një alternativë tjetër. 

Mohimi i kësaj mundësie nuk vjen nga sistemi zgjedhor, i hapur apo i mbyllur, propocional apo mazhoritar, por nga kapja e ekonomisë, vjedhja e parave dhe përdorimi i tyre për të mbajtur pushtetin. 

Të dashur qytetarë. 

Kjo që ka ndodhur nuk është rastësi. 

Nuk eshte rastesi që Edi Rama me ortakët oligarkë ka kapur çdo pasuri.

Nuk është rastësi që Kastrati ka marrë të gjithë infrastrukturën e vendit, rrugët, portet, aeroportet dhe kontrollon një pjesë të madhe të ekonomisë të Shqipërisë. 

Nuk është rastësi që pas aferës së faljës së ishullit të Sazanit është pikërisht Kastrati. 

Ky është një plan i mirëfilltë i përdorimit të parave dhe pasurive publike për të mbajtur me dhunë pushtetin politik. 

Ne kaluam nga pika e vogël që iu dha Gjiknurit dhe resorti i Xhaçkës, tek falja e Sazanit. 

Nuk besoj se ka rast me domethënës që tregon qartë se sa i vendosur dhe i paskrupull është kryeministri i Shqipërisë në qëllim e tij kryesor; mbajtjen e pushtetit me çdo mjet. 

Të dashur qytetarë.

Situata mund të duket e pashpresë dhe ne fakt është shume e vështirë. Por zgjidhja e vetme është një alternativë e vërtetë dhe e besueshme, që hap ekonominë dhe krijon mundësi për të gjithë. Është një rrugëtim i gjatë por i mundur.