Shehaj në Astir: Ne dallojmë nga gjithë të tjerët sepse nuk financohemi nga “duart e zeza”

Në takimin me qytetarët e Astirit, Agron Shehaj u shpreh se Partia Mundësia ndryshon nga të gjitha partitë e tjera, pasi është transparente në financimin e fushatës elektorale.

Shehaj tha se partitë e tjera bëjnë fushata që kushtojnë shumë falë “duarve të zeza” që i mbajnë me para, të cilave do t’u shërbejnë nesër në Parlament, ndaj kjo është një arsye e fortë për të mos i votuar.

“Ne jemi të vetmit që marrim pyetje, nuk kemi asnjë kompleks të dalim përballë votuesve, gazetarëve, analistëve, sepse nuk kemi gjë për të fshehur. Ata kanë pse të fshihen. Sepse ne, edhe për sa i takon çështjes më të rëndësishme, jemi transparentë. Jemi të vetmit që themi nga i gjejmë paratë që financohemi.

Asnjë prej tyre nuk thotë ku i gjejnë paratë, kush i financon, kush është dora e zezë që i mban me para’. Po bëjnë fushata që kushtojnë shumë më shumë se jona. Kujt do t’i shërbejnë nesër në Parlament? Sepse nëse sot marrin para fshehurazi, nesër do t’u shërbejnë atyre. Si mund të besoni dikë që mban fshehur kush i ka dhënë paratë.

Kjo na dallon nga të gjithë. Jemi të vetmit transparentë, me projekt afatgjatë dhe që do bëjmë një opozitë të vërtetë në Parlamentin e ardhshëm”, tha Shehaj.

Por, transparenca financiare nuk është i vetmi ndryshim mes “Mundësisë” dhe partive të tjera sipas Shehajt, pasi edhe vizioni mes tyre ndryshon shumë.

Kreu i Mundësisë tha se forca e tij politike nuk bën populizma duke thënë se qeveria do të pasurojë shqiptarët, por ka në program një Shqipëri që pasurohet vetëm falë punës së njerëzve të ndershëm.

“Ne nuk jemi si ata që flasin vetëm për drejtësi dhe presim që drejtësia të bëjë punën dhe t’i largojë. Ne dallojmë nga të gjithë për punën që kemi bërë. Ndryshe nga ata, ne ia kemi dalë me punë të ndershme, ne nuk bëjmë populizma, nuk tallemi me njerëzit, por iu themi të vërtetën. Ndryshe nga ata, ne nuk ju themi që ne do t’i shpëtojmë, që partia jonë do t’i bëjë më të pasur. Ne jemi të vetmit që jemi të vetëdijshëm që Shqipëria do pasurohet falë punës së njerëzve të ndershëm. E vetmja gjë që do bëjmë, është t’u heqim shtetin nga kurrizi.

Nëse shqiptarët nuk do kishin patur këto qeveri të korruptuara, Shqipëria sot do ishte shumë më e pasur dhe shqiptarët nuk do vazhdonin të iknin siç po ikin sot.

Shikoni teatrin që bëjnë. Kanë filluar, pasi bënë lojën me Bashën duke thirrur njëri tjetrin për t’u tallur me njerëzit, tani e kanë filluar me të tjerët. Asnjë prej tyre nuk flet për thelbin, për qeverinë e madhe, korrupsionin, burokracinë. Ne jemi shumë ndryshe, si nga të rinjtë dhe nga të vjetrit”, deklaroi Shehaj.