Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.
Në dokumentin zyrtar të publikuar në Regjistrin Federal, njoftohet se situata në rajonin e Ballkanit vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, përfshirë veprimet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, si dhe situata në Ballkanin Perëndimor që pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe jashtëzakonisht serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në urdhrin e Presidentit Trump.
Emergjenca kombëtare u shpall për herë të parë më 26 qershor 2001 nga Presidenti i atëhershëm përmes Urdhrit Ekzekutiv 13219, për të adresuar kërcënimet e jashtëzakonshme ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-ve që rridhnin nga dhuna ekstreme dhe veprimet që pengonin zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.