Seanca për Gërdecin/ Dëshmon çifti Durda që humbi djalin nga shpërthimi, përplasje me avokatët e Fatmir Mediut

Është mbajtur ditën e sotme seanca e radhës gjyqësore për Gërdecin ,ku kanë dëshmuar dëshmitarët e thirrur nga SPAK.

Ish ministri Fatmir Mediu nuk ishte në seancë por përfaqësohej nga avokati i tij.

Në seancë dëshmoi edhe Feruzan Durda, i cili humbi djalin nga shpërthimi. Ai sqaroi se ditën e ngjarjes ndodhej në punë kur u telefonua nga bashkëshortja që e njoftoi për shpërthimin që i mori jetën të birit 15 vjeçar.

Zamira Durda pranoi se djali i saj i mitur punonte në fabrikën e demontimit të armëve ku ndodhi shpërthimi. Këtë fakt ajo nuk e kishte pranuar ndonjëherë më parë, ndaj në seancë ka patur debat me avokatët e Fatmir Mediut.

Zamira Durda tha se s’ka asgjë personale me ish-ministrin Mediu, por sipas saj ishte urdhri i tij që solli tragjedinë e Gërdecit.

Sipas avokatit të familjes Durda ishte Fatmir Mediu ai që urdhëroi që në Gërdec të demontoheshin armë të kalibrit të madh, edhe pse ky urdhër ishte kundra vendimit këshillit të ministrave.