Këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca për shqyrtimin e dy ankimimeve të bëra nga ish-kryebashkiaku, Erion Veliaj, për shkarkimin e tij nga detyra dhe për dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e Tiranës.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Presidencës për të shpallur moskompetencën lidhur me dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve vendore për Tiranën.
Në argumentimin e saj, përfaqësuesja e Presidencës theksoi se dekretet presidenciale që lidhen me shpalljen apo anulimin e zgjedhjeve janë akte të natyrës kushtetuese dhe për këtë arsye nuk i nënshtrohen shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Kemi kërkuar që të merret në shqyrtim kërkesa për shfuqizim të dekretit dhe të deklaronit moskompetencën. Zgjedhjet në Tiranë u shpenzuan dhe të kthehet kushtetueshmëria e dekretit. Ne po ju paraqesim kërkesën, që të anuloni shfuqizim e dekretit 350, si hap që duhet t’i paraprijë kësaj kërkese”, u shpreh përfaqësuesja ligjore e Presidencës.
Në seancën e sotme ish-kryebashkiaku Veliaj mbrohet nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi. Ndërsa Presidenca përfaqësohet nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme është edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.