Seanca e fundit e Kuvendit/ Opozita braktis votimet e projektligjeve, mazhoranca i miraton e vetme 

Opozita ka braktisur seancën plenare, të fundit për këtë legjislaturë teksa socialistët votuan disa projektligje.

Seanca e sotme nisi që prej orës 10 të mëngjesit dhe zgjati deri në orën 19:00 ku nuk munguan as debatet. Në fund të diskutimeve u hapën votimet për disa projektligje, mes tyre buxheti 2025, të cilat u miratuan me shumicë të thjeshtë.

Në përfundim të seancës, kryeparlamentarja Elisa Spiropali përshëndeti ata deputetë, të cilën nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re, por edhe ata që në shtator do të rikthehen në Kuvend.

Projektligjet që u miratuan:

Akti normativ nr.6 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar”.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Bullgarisë, qeverisë së Republikës së Kroacisë, qeverisë së Hungarisë, qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë, qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e kërkimit dhe shpëtimit ajror, nënshkruar në Ohër më 22.2.2023”.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.

Projektligji “Për rezervat materiale të shtetit”.

Projektligji “Për markat tregtare”.

Projektligji “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.