Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të rrisin furnizimin me armë për Ukrainën gjatë këtij viti, e cila është duke u përballur me pushtimin rus.
“Dërgesat e armëve për Ukrainën, të planifikuara nga shumica e vendeve anëtare të BE-së tani, janë shumë të vogla… unë u bëj thirrje aleatëve tanë në Bashkimin Evropian që gjithashtu t’i rrisin përpjekjet e tyre për Ukrainën”, tha Scholz.
Pas Shteteve të Bashkuara, Gjermania është mbështetësi i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës.
Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit, shkruajnë mediat e huaja.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet, Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore, dhe tani po përballet me një rënie graduale të ndihmave prej aleatëve në Uashington dhe Evropë.
Më 8 janar, ushtria ruse sulmoi me një breshëri raketash rajonet e Ukrainës, duke vrarë së paku katër persona dhe plagosur mbi 40 të tjerë, si dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike, thanë zyrtarët ukrainas.