SAMITI PËR UKRAINËN/ Pjesë e mbledhjes edhe Alex Soros, çfarë ndodhi në më pak se 24 orë të vizitës së Zelenskyt në Tiranë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi për herë të parë Shqipërinë në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, pjesë e të cilit u bënë liderët e disa shteteve të rajonit dhe jo vetëm.

Zelensky mbërriti në Rinas rreth orës 23:00 të 27 Shkurtit, teksa për ta pritur në aeroport kishin shkuar ministri i Jashtëm., Igli Hasani dhe ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali. Sot në mëngjes ai u prit në Kryeministrit nga Edi Rama, me këtë të fundit që i dhuroi edhe librin e tij.

Më pas, të dy kanë pritur me radhë në tapetin e kuq përpara Pallatit të Kongreseve liderët e vendeve pjesëmarrëse në këtë Samit, mes të cilëve Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Zyra e shtypit të Presidentit ukrainas reagoi në rrjetet sociale pas takimit mes dy liderëve, duke shkruar se ishte diskutuar mundësia e prodhimit të armëve në Ballkan për të ndihmuar Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.

Pas fjalës përshëndetëse të Ramës dhe Zelenskyt, Samiti u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që ra në sy pjesëmarrja e Alex Soros, djalit të  filantropit George Soros, i cili qëndronte pas Ramës, në krah të ministrit Taulant Balla.

Samiti zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa pas përfundimit, Rama dhe Zelensky dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kryeministri shqiptar e siguroi presidentin ukrainas se Shqipëria do ta mbështeste gjithmonë, ndërsa Zelensky e falënderoi për atë çfarë kishte bërë për Ukrainën.