Samiti pa marrëveshje, Trump bisedë të gjatë telefonike me Zelensky-n pas takimit me Putinin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pati një bisedë të gjatë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fluturimit të tij për t’u kthyer nga Alaska.

Trump zbarkoi në Bazën e Përbashkët Andrews në Maryland pak pas orës 2 të mëngjesit sipas orës ET, pasi përfundoi samiti i tij me Presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti amerikan e kaloi pjesën më të madhe të fluturimit prej 6 orësh duke folur në telefon, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Pas telefonatës me Zelenskyn, Trump foli me zyrtarët e NATO-s, tha ajo.

Gjatë konferencës së tij të përbashkët për shtyp me Putinin, pas takimit të tyre dy orë e gjysmë, Trump u zotua të zhvillojë telefonata si me Zelenskyn ashtu edhe me zyrtarët e NATO-s. “Sigurisht që do ta telefonoj Presidentin tonë Zelensky dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm”, tha Trump gjatë konferencës.

Zyra e Zelenskyt konfirmoi se ai kishte folur me Trumpin të shtunën në mëngjes.

Ndërkohë mediat ukrainase e kanë kritikuar ashpër samitin në Alaskë midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, me një gazetë kryesore në gjuhën angleze që e quajti atë “të turpshëm”.

Në një editorial të botuar të shtunën në mëngjes sipas orës lokale, The Kyiv Independent tha se samiti ishte “I neveritshëm. I turpshëm. Dhe në fund, i padobishëm”.